Një herë që nuk vodhëm…



Këto ditë njëri nga vëzhguesit amerikanë që erdhën për të ruajtur votat tona (nga kush vërtet?!), do t`i ankohej një kolegut tonë: “Nuk di ç`të … bëj. Unë e kisha parashikuar që do të qëndroja të paktën deri në mesin e Korrikut këtu. Prisja që të kishte kontestime, përleshje, debate dhe kontestime”…
E vërteta është që në vendin tonë erdhën për të ruajtur votat tona plot tre batalione me “trupa” të huaja, pavarësisht se ato nuk mbanin uniformat e vendeve nga vinin.
Bota e dinte mirë se të parat dhe të fundit votime të pakontestueshme në tranzicionin kinse të stërzgjatur shqiptar, ishin ato të vitit 1992. Ashtu siç e dinin ata (por edhe ne), se këtu votat vidheshin nga partia e radhës që kishte pushtetin: Si me mënyra të sofistikuara-psh Ligji i Dushkut, ashtu edhe…tuj` i hedh kutit` m`sup… E këto nuk i thoshte bota, “për të na rënë në qafë” ne shqiptarëve. Jo. I thoshte partia e radhës që dilte në opozitë, ditën me diell, përpara kamerave, në Kuvendin e Shqipërisë…
“Po të donte, i vidhte votat Berisha”…
Këtë nuk e them unë, por fjalë për fjalë e deklaroi para kamerave, beniamini i tij, njëri nga ata që përveç të tjerave përcillet nëpër ekrane, edhe si analist, pa lere më “i pavarur”. Vetë Tani, i cili “për një çikë” sot mund të ishte edhe… president i vendit!
Për hir të së vërtetës e për fat të mirë të të gjithëve, kësaj here zoti Berisha jo vetëm që nuk vuri dorë në vota, por i priti ato të numëroheshin pa u ngacmuar deri në votën e fundit. Padyshim kjo është gjëja më normale që do të duhej të kishte ndodhur gjithnjë, por për realitetin tonë të 22 viteve, quhet edhe meritë. Megjithëse pati edhe skeptikë që thoshin se këtu ku ka arritur ekonomia, Shqipëria është një “patate e nxehtë”, dhe mjerë ai të cilit i mbetet në dorë.
Personalisht nuk mund të them se çfarë ka fituar Shqipëria prej qenies së zotit Berisha 22 vjet në politikë. Pastaj nuk e kam dot tagrin që ta përcaktoj unë, e askush nga ata që shkruajnë sot. Patjetër që ai ka rolin dhe kontributet e tij, aq sa janë, në ç`ka është arritur. Por historia dhe historianët, në një periudhë të mëvonshme, do të jenë ata që do të realizojnë vlerësimin.
Por ndërsa nuk mund të them se ç`fitoi, them me bindje se nëse zoti Berisha do të kishte vazhduar profesionin që pati, kardiologjia shqiptare do ta kishte realizuar transplantin e zemrës këtu në Tiranë, përpara vitit 2000. Ndoshta do të ishte realizuar edhe ndonjë shpikje tjetër, për të cilën jo vetëm ne s`do të na vinte mëndja, por as shkencëtarëve të huaj. Për mjekun Sali Berisha, askush nuk ka thënë asnjë fjalë të keqe; as për zotësinë profesionale, e as për dimensionet humane të tij.
Themelimi, pastaj
analiza
Partitë, si ato që humbasin, edhe ato që fitojnë, në demokraci i nënshtrohen analizës. Dhe duhet ta bëjnë këtë, për të mirën e tyre, por edhe tonën, të të gjithëve.
Atje “ku do perëndia”, partitë si opozita ashtu edhe pozita, janë dhe konsiderohen si kapitale kombëtare, si e mirë publike. Duhet të jenë ashtu, sepse ato një herë në katër apo edhe në tetë vjet, marrin në dorë fatet e vendit dhe të njerëzve, hartojnë e zbatojnë politika dhe plane ekonomike, me një qëllim të vetëm: Ruajtjen dhe mirëmbajtjen e territorit të shtetit (druaj se 4-5 politikanë shqiptarë e dinë se në rastin tonë sipërfaqja detare është dyfishi i asaj tokësore), garantimin dhe përmirësimin e jetës së shtetasve të tyre, përmes zhvillimit ekonomik të pandërprerë.
Këtë 23 Qershor, përqindja e njerëzve që dolën në votime, ishte thuajse e barabartë me atë të vitit jo aq të largët 1992. Duhet të ekzistojë një korrelacion mes numrit të atyre që dalin në votime dhe motivit që i shtyn ta bëjnë këtë.
Analiza kësaj radhe, për hir të së vërtetës është e vështirë të kryhet në radhët e atyre që dorëzojnë pushtetin. Sepse të bësh analizë, do të thotë të nxjerrësh përgjegjësitë e një ose disa stafeve elektorale, të cilat në qarqet ku punuan, nuk arritën rezultatet e pritshme. Por këtu nuk bëhet fjalë për 2-3 apo disa qarqe ku humbi. Le t`u referohemi atyre që supozohet “të japin llogari”, cituar nga materiali i botuar prej koleges Madani:
Pashk Noci – Lezhë: “Përgjegjësia kryesore është e jona në bazë, pasi nuk i kemi treguar Berishës të vërtetën përsa i përket shërbimit të administratës ndaj qytetarëve, e kjo u kthye në votë kundër PD-së”…
Bedri Hoxha – Peshkopi: “Anëtarët e kabinetit qeveritar aktual nuk kanë asnjë të drejtë morale të kandidojnë për postin e kreut të partisë, pas humbjes që i dhanë PD-së në zgjedhje”.
Ibsen Elezi-Kukës: Përgjegjësia bie te një kastë e gjerë drejtuesish që nuk ishin në gjendje të ndiqnin ritmin e kryeministrit, gjë e cila solli shumë herë mosbesimin e qytetarëve në qeverisje.
Arenc Berati – “Sali Berishës i duhej thënë e vërteta, ç`ka nuk e bënë ata që ende janë pjesë e kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar të PD-së. Mendoj se shkaqet janë largimi nga realiteti i bazës, si dhe sjellja arrogante e pushtetit qendror me bazën”.
Shkodra: “Ka shumë pikëpyetje: LSI? Korrupsioni në administratë? Arroganca e saj? Varfëria e një pjese(por sa kjo pjesë-shën imi) të popullsisë? Përfshirja e deputetëve të PS në lista? Lista të papërshtatshme? Secila ka peshën e vet”…
Besoj se këto mjaftojnë për të mësuar arsyet nga ata që janë atje në bazë, e jo nga laboratori (pa reagent) i zëdhënëses së PD-së.
Prandaj besoj se po të (ri)themelohet partia, zgjedhja e kryetarit është gjëja më e lehtë. Përndryshe, do të nisë kriza më e rëndë për një institucion politik; kriza e identitetit, e cila në shqip-troç, do të thotë përçarje. Meqë ndonjëherë fenomenet shpjegohen më mirë në mënyrë figurative, që të ndodhë analiza, duhet që…Të realizohet tanimë në parti ajo që thoshin demokratët për legalizimin e ndërtimeve pa leje:-”Legalizim, e pastaj urbanizim”… Duket se kjo tezë e tyre për ndërtimet pa leje, do të jetë shumë dobiprurëse për…strukturën e partisë…
Barra e rëndë
e Edi Ramës
Kriza e rëndë që ka mbërthyer Europën e mbarë botën (por jo ne, ju lutem!), është vakti më i keq të të vijë “asua” të qeverisësh këtë vend.
Nuk di nëse i kanë thënë Ramës se nga porti i Durrësit merr rrugë çdo muaj një sasi prej 60.000 tonë krom, të cilat vetëm me çmimin e bursës 200$/toni, na bëjnë 12 milionë dollarë. Por kush e di tek ne, se sa nga këto miliona futen në arkën e shtetit? Po nga energjia elektrike? Po digat pse duhet të hapen e njëkohësish të blejmë sot energji? Të paktën nga ato që ka deklaruar Rama, çështjen e naftës e ka të qartë. Programi miklues i partisë socialiste, më parë se të realizohet tek taksa, do të duhet të mbështetet në këto kapitale kombëtare, për administrim me nikoqirllëk, e jo për vjedhje me profesionalizëm. Sepse sa për korrupsion, socialistët e viteve 2001-2005, ishin ata që e ngritën në sistem të mirëstudiuar. Ishin ata, që thirrën në skenën e qeverisë të djathtët, të cilët deri atëherë për gjëra të vogla ishin përgojuar.
Tani më të lehtë do ta ketë edhe Zoti Meta, pasi nuk iu desh të sakrifikojë në koalicion si në 2009-ën, për hir të…integrimit.
Është hera e dytë që vota nuk u ngacmua. Me të njëjtën pjesëmarrje, me të njëjtin motiv. Kuptohet, në kahen tjetër. Blerja nuk përbën padrejtësi në ekonominë “e tregut”, apo jo?!? Meqenëse nuk vjen me vota të vjedhura në pushtet, Edi Rama ka një barrë.
Barra e rëndë e Edi Ramës, është që të bindë shqiptarët se…ky vend, mund të qeveriset edhe pa u vjedhur! Që t`i largohemi mallkimit shumëvjeçar mbi këtë popull, i cili ka qenë i detyruar të zgjedhë… më të voglën, mes dy të këqijave…