Skema Hollivudi mes policisë greke dhe të burgosurve shqiptarë

Skemat e ndjekjes dhe lëvizjet e të burgosurve shqiptarë nga forcat speciale greke të kujton ata filmat aksion të Hollivudit. Deri tani policia helene ka raportuar se gjatë ditës së djeshme është grabitur një motor, me të cilin mendohet se kanë lëvizur të arratisurit. Më parë mediat greke duke cituar burime të policisë thanë se gjatë orëve të mëngjesit të së premtes shqiptarët kanë hapur zjarr ndaj policisë në Arta dhe kanë vjedhur dy makina të cilat më pas i kanë braktisur. Sipas informacioneve më të fundit që bëhen publike nga policia, shqiptarët kishin planifikuar të ndihmonin edhe në arratisjen e Alket Rizait nga burgu i Dhomokos, duke kryer një sulm të armatosur dhe duke shpërthyer murin e jashtëm rrethues, për ta ndihmuar atë të linte burgun. Në këtë përfundim është arritur, pas analizës së një bisede mes Rizait dhe njerëzve që ndihmuan në arratisjen e Trikalas në mars të këtij viti. Policia e lidh këtë me përplasjen e armatosur që ndodhi dje në të gdhirë mes të arratisurve dhe oficerëve të policisë në zonën e Artës, ku shqiptarët hapën zjarr, ngjarje që sipas policisë, e pengoi planin e tyre dhe i detyroi të vazhdojnë rrugën në zonën drejt kufirit. Gjatë gjithë natës së të shtunës forcat e fuqishme të EKAM dhe OPKE së bashku me oficerët e policisë së Prevezës, Thesprotisë dhe Janinës kanë krehur rajonin e Paramithias dhe Filiatas me mjete elektronike dhe kamera termike. Deri tani policia helen s’ka pasur asnjë rezultat nga operacioni në zonën e Paramithisë dhe në zonat pranë kufirit greko-shqiptare për arrestimin e shqiptarëve të arratisur nga burgjet e Trikalasë. Policia greke ka ngritur një operacion gjigant për të identifikuar dhe arrestuar shqiptarët që vranë policin grek në Livadhia para disa ditësh. Sipas të dhënave të paradites së sotme, shqiptarët ndodhen në zonën e lumit Aheronda dhe Kalama dhe policia mendon se ata kanë 2 rrugë për t’u larguar, nëpërmjet lumit të rrëmbyer ose nga toka dhe ka marrë masa që të kontrollojë terrenin nga toka, nga ajri, madje edhe nga deti. Policia ka vënë në gatishmëri edhe forcat policore të zonës pranë Janinës e Igumenicës. Në të njëjtën kohë, në zonën detare afër Prevezës ka anije patrullimi të Igumenicës për të parandaluar arratisjen e mundshme të shqiptarëve nga deti. Mendohet se personat që kërkohen nga policia janë Marian Kola, Ilir kupa, Flaulant Luli dhe Fatos Sulaj. Ermal Lita është arrestuar më herët, pasi së bashku me Admir Murataj kryen një grabitje në një supermarket në Peristeri. Murataj i shpëtoi arrestimit dhe së bashku me Klement Cala grabitën rreth 1 mln euro në bankën e Larisës. Policia nuk është në gjendje të thotë nëse këta të dy janë arratisur në Shqipëri apo diku gjetkë. I teti i arratisur nga burgu i Trikalas ishte 25-vjeçari Edison Lika, i cili së bashku me xhaxhanë e tij Flamur Lika mbeti i vrarë në përpjekje me policinë mbrëmjen e 2 korrikut. Ndërkohë janë kryer dhe arrestime të shumta të shqiptarëve në këto zona për identifikimin e ndonjë informacioni. Fakti që nuk është gjetur ndonjë informacion që do të çonte në gjurmët e shqiptarëve që u arratisën nga burgjet e Trikala ka shqetësuar autoritetet, pasi sipas tyre ata mund të kenë arritur të kalojnë në tokën shqiptare. Të arratisurit janë duke u përpjekur për të arritur në Shqipëri duke lëvizur në rrugën e vjetër provinciale Philippiada-Igumenicë dhe policia pohon se e njohin mirë këtë zonë. Më 22 mars nga burgu i Trikalas u arratisën 11 shqiptarë, 3 prej të cilëve iu kapën menjëherë. 5 të tjerët që nga ajo ditë janë endur nëpër zona të ndryshme të Greqisë dhe herë pas herë janë përleshur me armë me policinë. Policia i akuzon shqiptarët e arratisur, edhe për dy vrasje që kanë ndodhur gjatë shkëmbit të zjarrit me ta; atë të 25 vjecares Katerina Zogali e cila kalonte rastësisht në Istmia, ndërsa më 17 qershor, të vrasjes së policit 37 vjeçar Jorgo Andritsopulu në Distomo.