Joana dhe Meti: Ju tregojmë historinë tonë, të bukur (FOTO)

Ai mbahet mend si djalë i bukur dhe i qetë. Meti i “Big Brother 5”, pas eksperiencës së tij në reality show, i është rikthyer jetës dhe punës së tij në Prishtinë. Ka vendosur të qëndrojë larg faqeve të shtypit rozë, duke mos dashur të komentohet për jetën e tij private. Thotë se nuk ka nevojë për këtë pjesë, pasi është përqendruar totalisht në punën e tij. Meti menaxhon një prej clube-ve më në zë të Prishtinës. Së fundmi ai është diskutuar për një lidhje të mundshme me Joanën e “Big Brother 6”. Të vërtetën e këtij lajmi, që çuditi jo pak, ai e zbulon në këtë intervistë. Meti, a është e vërtetë që je lidhur me Joanën? Ne po frekuentohemi me njëri-tjetrin dhe po njihemi gjithmonë e më shumë. Domethënë nuk jeni lidhur ende? (qesh) Do të thotë që jemi duke u njohur dhe e pëlqejmë njëri-tjetrin. Pastaj unë nuk do të doja të jepja intervistë ku të flisja për Joanën, sepse do të duket sikur kërkoj vëmendje, dhe të them të drejtën nuk kam nevojë për një gjë të tillë. Unë kam një punë timen, dhe jam i suksesshëm në punën që bëj. Nuk do të doja të diskutohesha për gjëra të tilla. Edhe marrëdhënien që kam me Joanën, nuk do kisha dëshirë ta diskutoja në media. Të pëlqen Joana si femër? Sigurisht që më pëlqen. Duke u njohur, kemi zbuluar se kemi tipa të njëjtë dhe mendojmë njësoj për shumë gjëra. Kur jeni bashkë, si e kaloni kohën? Kur kam qenë unë në Tiranë, kemi kaluar gjithë ditën bashkë. Kemi shkuar në pishina, kemi dalë mbrëmjeve. Jemi kënaqur vërtet shumë. Edhe Joana ka ardhur në Prishtinë dhe ia kemi kaluar shumë bukur ato ditë. Për lidhjen e saj me Anaidin çfarë mendon? Nuk mendoj asgjë. Nuk e njoh fare Anaidin dhe s’mund të them asgjë për të. Edhe Joanën e kam njohur përmes një shoqeje dhe nuk e kam ndjekur fare në “Big Brother”. Nuk e di se ç’ka bërë ajo në “Big Brother”, unë po e njoh vetë atë nga afër dhe kaq më intereson. Jeni puthur? (qesh). Për këtë duhet të pyesni Joanën. JOANA Joana e “Big Brother 6” vjen me të reja nga jeta e saj profesionale e private. Në këtë intervistë, ajo rrëfen të gjitha planet për punën e ardhshme dhe marrëdhënien e bukur që po lind me Metin e “BB5”. Banorja më e përfolur e edicionit të fundit të “Big Brother”, zbulon edhe një detaj që lidhet me ish-të dashurin e saj, Anaidin. Ai i është gjendur pranë në një moment të vështirë, duke i puthur ballin e duke i shtrënguar dorën kur Joana ndodhej në spital… Joana, me se po merresh këto kohë? Këto kohë jam duke studiuar tregun, sepse në tetor tërheq licencën dhe do hap farmacinë time. Dua të hap një farmaci 24- orëshe në Bllok dhe jam duke u marrë me lidhjet që më duhen për këtë punë. Mjekët, recetat, përqindjet… Për fat kam miq shumë të mirë që po më ndihmojnë. Ti do punosh vetë aty? Domethënë do shesësh ilaçet vetë apo do jesh menaxhere e punës? Unë do jem pronare e farmacisë. Do marr dy-tre punëtore, sepse farmacia do jetë 24-orëshe, pasi kam parë që një e tillë në zonën e Bllokut mungon. Kush do të t’i japë paratë për të hapur farmacinë? Kush investon për të gjitha shpenzimet e tua? Janë prindërit e mi që kanë investuar për mua gjithë jetën dhe vazhdojnë ta bëjnë. Çfarë pune bëjnë prindërit e tu? Mami dhe babi kanë mbaruar shkollën për shefa kuzhine. Të dy punojnë si shefa kuzhine në Greqi. Normalisht që shefat e kuzhinës paguhen mirë në të gjithë botën. Deri atëherë, ke në plan të bësh ndonjë punë tjetër? Për momentin më kanë ofruar punë në një club shumë të njohur në Bllok, që të jem menaxehere dhe PR. Ende nuk kam pranuar dhe jam në mëdyshje, sepse nuk dua ta konsumoj imazhin tim duke punuar nëpër lokale. Por nëse pagesa do të jetë e mirë, mua më intereson. Ndërkohë mbaroj edhe planin e farmacisë… Po pushimet? Këto ditë, ndërkohë që merrem me planin e farmacisë dhe takoj njerëz për këtë punë, edhe pushoj vazhdimisht. Kam bërë pishina, kam qenë në Dhërmi për plazh me miqtë e mi… Vazhdon të jesh po aq e famshme? Njerëzit, reagojnë kur të shohin? Çuditërisht, njerëzit që kanë pasur antipati për mua, të gjithë e kanë kthyer në simpati. Pas deklaratës që bëri Anaidi, të gjithë mbajtën anën time, dhe kjo u kthye në favorin tim. Pas daljes nga “Big Brother”, kam pasur mundësi të takoj njerëz që kishin krijuar antipati për mua gjatë kohës që isha brenda shtëpisë. Një prej tyre ka qenë edhe Olti Curri, i cili ka ndryshuar krejtësisht mendim për mua e tashmë është miku im. Po qarkullon një lajm, sipas të cilit ti po krijon një lidhje me Metin e “BB5”? Si u njohët ju të dy? Meti ka ardhur nga Prishtina në Tiranë për të më njohur. I kishte marrë Viganit numrin tim të telefonit. Ai është mik i ngushtë me Klaudian e “BB5” dhe kur ishin të dy bashkë një ditë, Klaudia më telefonon për të më takuar. Aty më prezantoi edhe me Metin. Kaluam shumë bukur bashkë. Klaudia tashmë është bërë mikeshë e mirë e imja, ndërsa me Metin nisëm të frekuentoheshim për t’u njohur më shumë (qesh). Takoheni shpesh? Ne dalim bashkë e frekuentohemi, por jo shumë shpesh, pasi ai punon gjatë gjithë javës dhe nuk ka shumë kohë. Pastaj është edhe distanca Prishtinë – Tiranë që i vështirëson gjërat. Ne e pyetëm Metin nëse jeni puthur… Ai na tha të të pyesnim ty. A jeni puthur? (qesh) Unë them të pyesni Metin më mirë (qesh). Të pëlqen Meti si mashkull? Çfarë të pëlqen më shumë tek ai? Më pëlqen. Është djalë me shumë humor dhe shumë romantik, kavalier… Çfarë gjesti ka bërë për ty, që të ka mbetur në mendje? Shumë i dashur, më kapte shpesh dorën. Kur ishim në pishina më bënte masazh (qesh). Ne e pëlqejmë njëritjetrin. Para pak kohësh, qarkulloi një tjetër lajm, sipas të cilit ti ishe shtruar në spital. Si është e vërteta? Kam qenë vërtet në spital, pak ditë pas mbarimit të “Big Brother”. Nga stresi i atyre ditëve, nga gjithë gjërat që ndodhën, pësova një si tip atak paniku. Isha rrugës në makinë kur më ndodhi. Pasojë e stresit dhe presionit të madh të kohëve të fundit. Anaidi, të erdhi në spital? Po, erdhi. Foli me doktorët, pyeti për analizat. Me ty si u soll? Çfarë të tha? Më kapi dorën, më puthi në ballë dhe më ftoi për darkë. Je takuar më me të kohët e fundit? Kemi rastisur në të njëjtat ambiente, por unë i bëj dalje. Nuk dua as ta përshëndes.