Postet ministrore, ja disa nga emrat qeverisë së Rilindjes (FOTO-LAJM)

Zbardhen disa detaje në lidhje me ndarjen e posteve ministrore mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila në qeverinë e re pritet të ketë katër apo pesë portofole. Pjesë e qeveriës së re pritet të jenë edhe aleatë të tjerë të koalicionit opozitar që nuk mundën të marrin mandat me partitë e tyre, si Milo, Gjinushi, Koçi, Muslia etj. Pakti Mësohet se LSI mund të marrë Ministrinë e Integrimit, Ministrinë e Transportit dhe Ministrinë e Arsimit. Por fillimisht kryetarët e dy partive do të bien dakord për një reformë strukturore të qeverisë së re. Pritet që numri i ministrive do të shkojë në 18, duke ndarë disa prej ministrive aktuale, por dhe ngritjen e ministrive të reja. Pritet të ndahet Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por dhe Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë konfirmuar dje vullnetin e tyre për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit. Ndarja e mandatit të deputetit nga ajo e ministrit do të sjellë prurje të reja në Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak se deputetët që do të pranojnë të bëhen ministra do të duhet të lënë mandatin, atëherë ata do të zëvendësohen me kandidatë që gjenden poshtë listës fituese. Ndarja e pozicioneve ministrore mes forcave të koalicionit gjithmonë shoqërohet me emrat e ministrave. Në selitë e partive, ashtu siç dhe pritej, kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë. Vetë socialistët pritet të mbajnë ministri të rëndësishme siç është ajo e Financave, ku emri më i lakuar është ai i deputetit të Dibrës, Shkëlqim Cani. Po kështu pritet që në ekzekutiv të kalojnë dhe dy gra të spikatura për çështje të menaxhimit, Mimi Kodheli dhe Milena Harito. Nga ana tjetër, ministrat e parë që po përfliten në radhët e LSI-së janë Lefter Koka për të qenë në Ministrinë e Transporteve dhe Nasip Naço për të drejtuar Ministrin e Jashtme. Nga ana tjetër, emri i Shezai Rrokajt për të qenë ministri i ri i Arsimit duket se po diskutohet gjerësisht. Por diskutimet për emrat e ministrave të rinj prekin dhe aleatët e tjerë të së majtës. Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka qenë i pari që përpara fushate ka theksuar se Edi Rama i kishte premtuar se ai do të ishte ministri i ri i Drejtësisë. Por duket se Rama detyrime ka dhe për sa u përket dy aleatëve tradicionalë të tij, siç është Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo. Në qeveri pritet të përfaqësohet me ministri dhe Vangjel Dule i cili u bashkua në koalicionin e majtë me Partinë e tij Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Dule pritet të jetë vetë në rolin e ministrit të Punës. Rama ka deklaruar që herët se ministrat e rinj të kabinetit të tij nuk do ta kenë mandatin e deputetit. Më Lartë portali albeu.com ju sjell listën me disa nga kandidatët për ministër ndërkohë që diskutimet për plotësimin e posteve ministrore vijojnë.