Padia e rrallë: Më “bleu” votën, tani nuk me jep lekët dhe nuk më kthen kartën

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për një të ri nga Puka, i cili, një ditë para zgjedhjeve i mori kartën e identitetit një votuesi, duke mos e lejuar që të votonte. Organi i prokurorisë, ditën e djeshme ka nisur hetimet për 21-vjeçarin Bekim Tahiri, nën akuzën e dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve, si dhe të pengimit të zgjedhësit për të votuar. Shkak për nisjen e këtyre hetimeve është bërë kallëzimi në polici i 25-vjeçarit Bledar Vani. Ky i fundit, një ditë para zgjedhjeve është paraqitur para forcave të policisë së Komisariatit nr.4 në Tiranë dhe ka ngritur pretendimin se 21-vjeçari nga Puka i ka marrë kartën e identitetit kundrejt një shpërblimi prej 2000 lekësh që të mos votonte ditën e zgjedhjeve. Sipas policisë, Vani ka pohuar në polici se i dyshuari jo vetëm që nuk i ka dhënë lekët, por nuk i ka kthyer as kartën e identitetit. Menjëherë pas kallëzimit blutë e Komisariatit nr.4 kanë bërë të mundur shoqërimin në polici të 21- vjeçarit, ku në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua karta e identitetit të Bledar Vanit. Sipas policisë, 25-vjeçari Bledar Vani ka qenë votues i Partisë Socialiste. Ky i fundit ka pohuar se i riu nga Puka nuk e ka lejuar që të votojë për partinë e tij dhe për këtë arsye i ka marrë kartën dhe i ka premtuar shumën e lekëve. 21-vjeçari është shoqëruar në komisariat, ndërkohë që po procedohet në gjendje të lirë dhe ndaj tij ka nisur një hetim edhe nga organi i prokurorisë.